SITUATA NGA ZJARRET NË DIBËR, SPAHIU NGA LURA: JEMI DREJT VËNIES NËN KONTROLL
Lufta me zjarret vijon ende në parkun kombëtar “Lurë - Mali Dejës” por për fat të mirë tashmë nuk rrezikohen banesa. Dhjetra forca dhe dy avionë “Air Tractor” janë në operacion për neutralizimin e zjarrit. Situatën nga afër e ka parë vetë kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, i cili tha se tani nuk ka asnjë rrezik për banesat ndërsa perimetri për mundësinë e zgjerimit të vatrës së zjarrit është kufizuar. Aktualisht të angazhuar janë 115 forca bashkiake, 13 policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë “Air Tractor”. Edhe në zonën e Bulqizës vijon lufta me flakët. Nga krahu i Bulqizës zjarri në Qafë Helmës është fikur dhe mbetet aktiv vetëm ai drejt Selishtës. Ndërkohë, ende nuk dihen dëmet e shkaktuara nga zjarret që përfshinë parkun e Lurës, ndërsa pritet që në ditët në vijim strukturat përkatëse të nisin bilancet në terren.