Ndryshe nga dy bashkitë e tjera si Dibra dhe Bulqizë, në Bashkitë Mat e Klos situata është më e normalizuar sa i përket asaj të krijuara nga reshjet e dëborës së të shtunës së kaluar, por nga mbreme kane vazhduar reshje te dendura shiu.

Aksi i rrugës së Arbrit në Bajpasin e Murrizit është lehtësisht i kalueshëm që prej orës 6 të mëngjesit të ditës së sotme pasi ishte bllokuar gjatë natës për ta pastruar e liruar nga automjetet që kishin mbetur aty mbrëmjen e së shtunës. Qarkullimi në këtë aks drejt Tiranës dhe anasjelltas bëhet pa probleme.

Edhe në aksin tjetër Klos – Burrel – Skuraj qarkullimi bëhet normalisht. Ndërkohë, të gjitha rrugët e qendrave të njësive administrative në Mat janë të hapura ndërsa po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave të thellë të Xibrit, Macukullit etj.

Edhe energjia elektrike në këto dy bashki është rikthyer mbi 95%, pas shumë problemeve që pati gjatë së shtunës mbrëma dhe së dielës.

Më problematike situata ishte në Bashkinë e Klosit ku si pasojë e këputjes së telave dhe shembjes së shtyllave, shumë zona përfshirë qytetin mbetën pa energji.

Deri mesditën e kësaj të hëne në të gjithë Qarkun Dibër nuk janë shfaqur emergjenca shëndetësore.