Nga tre vatrat e fuqishme të zjarreve që ishin aktivizuar në Dibër, Klos e Mat, vetëm ajo në Lurë vijon të jetë aktive këtë të premte. Pas një pune disa ditore është bërë e mundur që të neutralizohen zjarret në malin e Balgjajt dhe në Luginën e Shkopetit.
Vatra e zjarrit në malin e Balgjajt është fikur e gjitha, por pasojat ekonomike janë jashtëzakonisht të mëdha. Ndërkohë, edhe pse është bërë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit në luginën e Shkopetit në fshatin Lundre dhe Madhesh, inspektorë të shërbimit pyjor po e monitorojnë në terren në mënyrë që të parandalohet riaktivizimi i mundshëm i tyre.
Situata më e rëndë mbetet fshatin Pregj-Lurë të Bashkisë Dibër, ku po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me pisha të rralla e barishte. Helikopteri i Forcave të Armatosura iu bashkua mëngjesin e së premtes operacionit për fikjen e zjarrit për të mos lejuar që flakët, të ndihmuara nga era, të përhapen drejt fshatit.
Ndërkohë në terren janë me dhjetra persona që po luftojnë me zjarrin nga Bashkia Dibër, shërbimi pyjor, shërbimi zjarrfikës, forcat e armatosura etj.