Ndonëse është trajtuar disa herë problematika e gjendjes së asfaltit në rrugën nacionale Burrel – Skuraj, një tjetër problem shqetësues mbeten veprat e artit.
Ndryshe nga gropat e thella në rrugë, veprat e artit siç janë urat, janë thuajse të padallueshme për syrin e lirë.
Por një detaj i rëndësishëm për të treguar degradimin dhe rrezikun e tyre janë këto deformime të asfaltit në hyrje të tyre apo mbi ta. Këto janë dy nga urat që ndodhen në afërsi të “ish pularisë” vetëm pak kilometra larg qytetit të Burrelit.
Deformimi është i dukshëm në harqet e krijuara si pasojë e zhvendosjes së bazamenteve të urës. Nëse nuk je i vëmendshëm, këto deformime përbëjnë rrezik edhe për drejtuesit e automjeteve.
Ndërkohë, më e rrezikshme mbetet ura në afërsi të ish pularisë. Deformimi mbi këtë urë është shumë i madh dhe ka nisur zhvendosja e asfaltit, çka përbën një kërcënim serioz për jetëgjatësinë e urës.
Qeveria Shqiptare ka marrë një fond prej 51 milion eurosh për të rehabilituar urat ekzistuese, ndërsa ende nuk dihet se ku do të bëhet ndërhyje në aksin Skuraj – Burrel.