Prej muajsh banorët e zonës e kanë ngritur shqetësimin e rrezikut që i kanoset rrugës nacionale Burrel – Klos në vendin e quajtur Suç, pikërisht në nyjën lidhëse me rrugën e fshatit Kurdari.

Rrjedhja e ujërave të vazhdueshme të shiut ka bërë që pjesa e poshtme e rrugës të gërryhet gradualisht duke vënë në rrezik serioz gjithë trasenë e saj.

Situata tashmë është përkeqësuar akoma më shumë për shkak të këtij fenomeni, saqë hapsira boshe ka arritur në asfalt, madje duke lënë në ajër edhe barrierat metalike.

Siç duket nga pamjet, barriera në këtë pjesë të rrezikshme është vetëm dekorative pasi nuk ka asnjë mbështetje në tokë e për pasojë nuk jep asnjë siguri për mbrojtjen e automjeteve që të mos bien në ujërat e lumit Mat.

As firmat mirëmbajtëse në këto vite, por as Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka marrë asnjë masë parandaluese ndaj këtij fenomeni që mund të jetë rrezik shumë i madh për përdoruesit e këtij aksi automobilistik të rrugës nacionale Burrel-Klos në Suç.

Jashtë kameras, banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme pasi në rast të dëmtimit të plotë të xhadesë në Suç, do të mund të mbeten pa komunikim me qendrën e Bashkisë në Klos dhe anasjelltas.