Shumë fshatra të Njësive Administrative Lurë, Selishtë, Kala e Dodës, Sllovë e Maqellarë në Bashkinë Dibër janë ende të bllokuar si pasojë e pranisë së madhe të dëborës, trashësia e së cilës arrin deri në 90 cm. Pushteti vendor ka arritur të hapë për qarkullim rrugët e qendrave të Njësive Administrative që lidhen me qytetin e Peshkopisë.

Rrugët nacionale Peshkopi – Kukës dhe Peshkopi – Tiranë janë të kalueshme pa probleme. Ndërkohë, ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në Lurë, Kala e Dodës në Dibër si dhe Tërnovë e Madhe në Bulqizë. Këtë të mërkurë është rikthyer mësimi në të gjitha shkollat e pezulluara nga e hëna, duke përjashtuar anekset e fshatrave të thellë ku ende ka rrugë të bllokuara.

Sa i përket Bashkisë Bulqizë, problematike situata paraqitet në fshatrat Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël të Zerqanit si dhe disa fshatra të Shupenzës, për shkak të trashësisë së madhe të dëborës. Edhe në këtë Bashki, pjesa më e madhe e shkollave i është rikthyer mësimit, duke përjashtuar shkollat anekse.

Temperaturat shumë të ulta gjatë natës kanë bërë që në rrugë të ketë prezencë të akullit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve nga orët e pasdites deri në mëngjes.