SHUHET ZJARRI NË PARKUN KOMBËTAR "LURË - MALI DEJËS", BASHKIA DIBËR BËN BILANCIN 276 HA TË DJEGUR E PËRSHKUAR NGA FLAKËT

SHUHET ZJARRI NË PARKUN KOMBËTAR "LURË - MALI DEJËS", BASHKIA DIBËR BËN BILANCIN 276 HA TË DJEGUR E PËRSHKUAR NGA FLAKËT

Prej tetë ditësh Parku Kombëtar "Lurë - Mali Dejës" ishte në pushtetin e flakëve për shkak të zjarreve që përfshinë pyjet dhe kullotat. Gjatë këtyre ditëve është punuar intensivisht nga ajri me helikopter dhe me 2 avion "Air Tractor" si dhe me rreth 200 forca nga MZSH, Bashkia Dibër, ADZM, nga Drejtori e Sektor të ndryshëm, vullnetarë si dhe Forcat e Armatosura. Puna ka qenë pa ndërprerje deri në izolimin e plotë të zjarrit pasditen e djeshme. Aktualisht vatra e zjarrit po mbahet nën monitorim sepse ka trungje brenda vatrës që digjen dhe nxjerin tym por pa mundësi riaktivizimi. Paraprakisht specialistët e AKMC Dibër kanë bërë bilancin e sipërfaqes së djegur dhe përshkuar nga zjarret e këtyre 8 ditëve. Nga analiza për këtë zonë rezulton një sipërfaqe e djegur dhe e përshkuar prej rreth 276 ha, e ndarë sipas kategorive të mbulesës së tokës në: 154.24 ha sipërfaqe me bimësi, 78.01 ha sipërfaqe pa bimësi drunore, 42.54 ha sipërfaqe pyjore dhe 1.23 ha pemëtore. Po ashtu, është shuar plotësisht edhe vatra e zjarrit në fshatin Bruç të Njësisë Rukaj në Bashkinë e Matit, pas ndërhyrjes së një helikopteri të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile pasditen e së martës, teksa në rrugë tokësore punuan dhjetra punonjës të Mbrojtjes Civile, Shërbimit Zjarrfikës, Shërbimit Pyjor të Bashkisë Mat dhe Forcat e Armatosura.