Që në nëntor të vitit të kaluar ka nisur rikonstruksioni i objektit ekzistues të shkollës së mesme të bashkuar “Haxhi Lata”, Suç.

Në tabelën e vendosur pranë portës së jashtme të shkollës, shkruhet se investitor është Bashkia Klos, ndërsa vlera e fondit që do të shpenzohet për rikonstruksionin e kësaj godine është rreth 70 milion lekë të rinj pa Tvsh.

Investimi pritej që të mbyllej në Prill, sipas afat kohor prej gjashtë muajsh nga fillimi i punimeve të deklaruar në këtë tabelë informuese. Por, sipas drejtuesit të firmës së punimeve, për shkak të kushteve atmosferike, rikonstruksioni i godinës shkollore në Suç do të shtyhet edhe për disa muaj të tjerë. Në deklaratën e tij, ai u shpreh se gjithësesi, kjo godinë shkollore do të jetë e gatshme të presë nxënës e mësues, me të gjitha kushtet bashkëkohore, në shtator, kur nis dhe viti i ri shkollor.

Ky është një sihariq i mirë për nxënës, pridër e mësues të këtij komuniteti, pasi deri më tani nxënësit ishin të detyruar të shkonin të mësuar në godina të tjera shkollore si në Kurdari, Klos e Burrel.

Mësohet gjithashtu se godina e shkollës së mesme të bashkuar “Haxhi Lata”, Suç, nuk do të jetë e vetmja që po rikonstruktohet në bashkinë e Klosit, pasi një fat të tillë pritet ta ketë edhe godina e shkollës në Gurrës të Madhe.