Dikur në fshatin Shtushaj, të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës, jetonin mbi 90 familje, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 10 shtëpi. Fshati ka ardhur gjithmonë në braktisje të plotë, ku pas të rinjve, kohët e fundit po largohet edhe mosha e tretë. Ata që kanë mbetur ende në Shtushaj thonë se edhe largimi i tyre nga aty nuk është i largët. Sipas tyre, problemet e shumta që ka fshati i kanë detyruar banorët të largohen. Mungesa e ujit të pijshëm, atij vaditës, problemet me energjinë elektrike, infrastruktura rrugore etj., kanë qenë shkaku kryesor për braktisjen e fshatit. Shahat Dumani tregon se mungesa e vëmendjes nga autoritetet bëri që të gjithë të largoheshin nga fshati Shtushaj i Bulqizës.
Astrit Dumani është një tjetër banorë i cili pret të largohet dita-ditës nga Shtushaj. Sipas Astritit, të gjithë janë detyruar të largohen pasi nuk ka asnjë të ardhme në këtë fshat. Asnjë investim nuk është bërë për të mbajtur banorët të palarguar nga fshati.
Braktisja e fshatit Shtushaj në Bulqizë dallohet edhe nga banesat gati të rrënuara totalisht dhe që i kanë mbuluar ferrat për shkak se prej vitesh nuk jeton askush më në to.