Bashkia Klos ka nisur punën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në lagjet e fshatrave të saj. Pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit miratoi projektin e dërguar, Bashkia ka bërë të mundur dhënien e bazës së nevojshme materiale për të ndryshuar gjendjen e rrugëve të fshatrave, kryesisht të segmenteve që kanë qenë vazhdimisht problematike. Ndërkohë, këto investime po bëhen nga pushteti vendor në bashkëpunim me komunitetin. Prej disa ditësh po punohet për shtrimin me beton të rrugës së lagjeve “Celami” e “Koçi” në fshatin Gurrë e Vogël të Njësisë Administrative Gurrë. Vetë banorët shprehen se me shtrimin me beton të kësaj rruge zgjidhet përfundimisht problemi për afro 30 familje të këtyre dy lagjeve.

Nga ana tjetër drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Klos thanë se investime të tilla do të shtrihen edhe në fshatra të tjerë të Klosit.