Frekuentimi i shumtë nga qytetarë që vijnë nga Tirana por edhe zona të ndryshme të vendit në Qafën e Murrizit, të bashkisë Klos, ka bërë që ndotja të rritet çdo ditë. Qytetarët shfrytëzojnë freskinë e zonës për të kaluar orët e vapës në këtë zonë, por bëhen shkak për ndotje të madhe të mjedisit.

Siç duket nga pamjet, mbeturinat e dala nga kosumimi i ushqimeve apo pijeve të ndryshme, janë rritur. Zonës i është shtuar ndotja që jo vetëm dëmton bimësinë, por edhe krijon një imazh të shëmtuar për vizitorët. Ndërkohë, megjithëse ekzistojnë dispozita ligjore që dënojnë këdo që hedh mbeturina pa kriter, në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. Madje, duke qenë se ka frekuentim të lartë, nuk është vendosur asnjë kontenier nga Bashkia Klos që t’ju japë mundësinë qytetarëve të pandërgjegjshëm të hedhin mbeturinat në vendin e caktuar dhe jo aty ku kanë pushuar.

Të kontaktuar nga ana jonë, drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Klos thanë se shumë shpejt edhe në Qafën e Murrizit do të vendosen kosha, për t’ju dhënë mundësinë vizitorëve apo udhëtarëve që ndalojnë aty, të hedhin mbeturinat në vend të caktuar. E ndërkohë që pritet të realizohet kjo, ndërgjegjësimi qytetar lë shumë për të dëshiruar.