Banorët e qytetit “Tunbridge Wells” kanë shpenzuar 4.2 millionë paundë në blerjen e kokainës përgjatë një periudhe 6-mujore duke përdorur një mekanizëm shpërndarjeje të quajtur “Deliveroo for drugs”, sipas informacioneve që zotëron një gjykatë. Si rezultat i hetimeve është zbuluar se banda shqiptare kishte ngritur edhe një qendër “call center”-i në Londër, që ofronte shërbim 24-orësh për qytetin e Kent-it.
Rasti u mor vesh pasi deputeti konservator Michael Gove, pranoi se kishte marrë drogë dhe një raport i Brukselit paralajmëroi se Britania është bërë kryeqyteti i kokainës në Evropë. Gjykata u vu në dijeni se banda kishte përdorur një model të thjeshtë dhe të qëndrueshëm të biznesit të shitjes së drogës.
Simon Taylor, prokuror, ka thënë lidhur me rastin: “Gjithmonë gjysmë grami, gjithnjë kokainë, gjithmonë 40 paundë, gjithmonë tregtarë shqiptarë dhe gjithmonë ‘Tunbridge Ëells’.”

Shërbimi i shpërndarjes së drogës
Qyteti është i famshëm për patronazhin e tij mbretëror, që nënkupton Anglinë e Mesme (në gjuhën e origjinës i referohen si “Middle England”, që megjithëse nuk tregon një rajon gjeografik, përdoret për të përkufizuar banorëve në rrethinat e Anglisë Jugore dhe Qendrore, të tipizura nga qytetet e vogla). Por, në vetëm një javë në korrik të vitit të kaluar, një prej “call center”-ave të bandave mori 1,500 thirrje për porosi, që përllogariten neto në shumën e 60,000 paundëve. Z.Taylor shtoi: “Organizatorët e rrjetit po vepronin përmes një mekanizmi shpërndarës të drogës dhe ishin në gjendje të mbanin telefonin kryesor ‘steril’, duke e përdorur atë vetëm për marrjen dhe konfirmimin e urdhrave”.
Dëshmitë e stilit të jetesës ekstravagante të anëtarëve të bandës u gjetën në telefonat e sekuestruar. Njëri prej tyre u filmua duke i davaritur para një këngëtareje në një klub nate, një tjetër mburrej për dërgimin e një automjeti të tipit “Range Rover Sport” drejt Shqipërisë dhe një i tretë për blerjen e dhëmbëve të rinj për të vjehrrën.