Shqipëria shkëlqen ndaj Finlandës, Asllani më i vlerësuari në fushë
Kombëtarja shqiptare bëri një paraqitje të shkëlqyer në Arenën Kombëtare duke mposhtur Finlandën me rezultatin 2-0 në Nations League. Falë kryeveprës së Muçit dhe golit të Manajt, Shqipëria mori 3 pikë me peshë për objektivin e saj në këtë kompeticion.
Vlerësimet e specializuara pas ndeshjes treguan një performancë të lartë të skuadrës në total, e vlerësuar me një notë mesatare 8.05. Në nivel individual, ai që ka marrë vlerësimin më të lartë është Kristjan Asllani, me notën 8.1. Menjëherë pas tij vijnë Elseid Hysaj dhe Ernest Muçi, të cilët ishin protagonistë absolutë, me të dy lojtarët të vlerësuar me notën 7.9. Shumica e pjesës tjetër të skuadrës morën nota mbi 7, ndërsa i vetmi që kishte marrë një notë nën 7 nga formacioni titullar ishte Ramadani me 6.9.
Tani Kombëtarja shqiptare ka edhe një ndeshje të fundit në këtë edicion të Nations League, atë me Bjellorusinë që do të luhet në Budapest. Në këtë sfidë, Shqipërisë do t’i mjaftojë edhe vetëm një barazim për të vulosur vendin e parë në Grupin C1.