Era e fortë dhe reshjet e shiut krijojnë probleme me furnizimin me energji elektrike, situata përmirësohet pasditen e së premtes
Prej më shumë se 24 orësh i gjithë qarku Dibër është përfshirë nga era e fortë dhe reshjet e shiut. Kjo ka bërë që gjatë pasdites së të enjtes dhe gjatë natës të ketë ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike në disa zona. Ndërprerja e energjisë ka përfshirë fshatrat e një pjese të madhe të Qarkut Dibër, ndërsa specialistët e OSHEE kanë punuar pa ndërprerje për eleminimin e avarive. Banorë të fshatrave të Matit, Klosit, Bulqizës e Dibrës kanë raportuar shkëputje të furnizmimit me energji elektrike që pasditen e djeshme dhe gjatë mbrëmjes së kaluar, kryesisht në linjën e tensionit të mesëm, ku problem janë bërë pemët që bëjnë kontakt me rrjetin përcjellës. Situata ka ardhur në përmirësim vetëm paraditen e kësaj të premteje me ndaljen e erës së fortë dhe të reshjeve të shiut. Aktualisht mësohet se nuk ka asnjë avari që të pengojë furnizimin normal me energji elektrike të abonentëve në të gjithë qarkun Dibër, ndërsa specialistët e OSHEE janë në terren për të monitoruar situatën.