“Shqipëria ime” – festë e artit, talentit dhe dashurisë për atdheun
Në kuadër të festave të Nëntorit, Qendra e Kulturës së Fëmijëve “Ymer Neli” Mat, në bashkëpunim me ZVA Mat, organizoi aktivitetin artistik “Shqipëria ime”, një festë e mbushur me muzikë, kërcim, art dhe emocione, ku fëmijët përshfaqën në skenë talentin dhe dashurinë e tyre për atdheun. Programi nisi me tinguj muzikorë dhe interpretime artistike, duke vijuar me piano, këngë, kërcime moderne dhe popullore, si dhe me performancat e korit të fëmijëve. Atmosferës festive iu bashkuan edhe interpretimet tradicionale me çifteli, duke sjellë në skenë ritmin, identitetin dhe bukurinë e muzikës shqiptare. Pjesë e aktivitetit ishte edhe konkursi në pikturë me temë “Ti Shqipëri, më jep nder”, ku nxënës nga tri shkollat e qytetit të Burrelit shprehën përmes ngjyrave dhe imagjinatës së tyre këndvështrimin mbi atdheun, simbolet kombëtare dhe vlerat shqiptare. Në përfundim të konkursit u shpërndanë certifikata për 6 fituesit, të vlerësuar nga instruktorët Artan Kurti dhe Alfred Stafasani. Gjithashtu, u vlerësuan edhe pjesëmarrësit e konkursit të kërcimit, ku certifikatat u ndanë nga drejtoresha e QKF “Ymer Neli” Mat, Anduena Sefgjini, në shenjë vlerësimi për talentin, përkushtimin dhe performancën e tyre artistike.