Shqipëria Humb Popullsi me Shpejtësi, Veriu më i Prekuri nga Emigracioni

Shqipëria Humb Popullsi me Shpejtësi, Veriu më i Prekuri nga Emigracioni

Shqipëria po përjeton një zbrazje të thellë të popullsisë në dekadën e fundit, me një cikël të përshpejtuar emigracioni jashtë vendit. Të dhënat më të fundit tregojnë një rënie shqetësuese në rang kombëtar, ndërsa qarqet veriore shënojnë humbjet më të mëdha demografike.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, gjatë dhjetëvjeçarit 2016–2026, Shkodra shënoi rënien më drastike në rang kombëtar, duke humbur 25.58% të banorëve të saj, me mbi 50 mijë persona më pak. Pas saj renditet Kukësi, i cili ka humbur 24.78% të popullsisë, kryesisht për shkak të emigracionit të fortë të të rinjve në Britaninë e Madhe. Edhe Lezha paraqet një situatë thuajse identike me një tkurrje prej 24.11%, duke dëshmuar se i gjithë brezi verior bregdetar dhe fushor po përballet me ikje masive. Qarku i Dibrës gjithashtu ka regjistruar një rënie prej 22.49% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së tij. Këto shifra zyrtare konfirmojnë se katër qarqet kryesore të veriut po humbasin me shpejtësi popullsinë në krahasim me te tjerat.

Në rang kombëtar, popullsia e përgjithshme e Shqipërisë ka pësuar një tkurrje neto prej 14.23%, duke u pakësuar me saktësisht 387,462 banorë ndërmjet viteve 2016-2026. Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në veri, pasi edhe qarqet e tjera të vendit janë të ekspozuara ndaj kësaj tendence. Fieri ka humbur në dekadën e fundit 68,089 banorë, që korrespondon me një rënie prej 23.02%. Elbasani shënoi rënie relative prej 21.06% të popullsisë në të njëjtën periudhë. Në juglindje, Korça regjistron një tkurrje prej 22.63%, e barabartë me afërsisht 48 mijë banorë më pak në periudhën 10-vjeçare.

Gjirokastra u tkurr me 21.86%, duke vështirësuar ruajtjen e shërbimeve bazë në një qark që, përveç tkurrjes, vuan edhe plakjen e shpejtë. Ndërkohë, Vlora ka pësuar një rënie prej 18.46%, duke u pakësuar me mbi 32 mijë banorë, kurse popullsia e Beratit u tkurr me 9.44%. Madje edhe Durrësi, një qendër e madhe ekonomike, për shkak të portit dhe turizmit ka pësuar tkurrje me 12.08%, ose mbi 30 mijë banorë në një dekadë.

Kryeqyteti është qarku i vetëm që ka shënuar një rritje modeste prej 1.25% të popullsisë, duke shtuar në total rreth 9,428 banorë të rinj përgjatë kësaj dekade, si rrjedhojë e emigracionit të brendshëm. Shqipëria po polarizohet me shpejtësi rreth një pike të vetme urbane, teksa Tirana zgjerohet lehtë, të gjitha rajonet e tjera po përballen me plakje dhe tkurrje të popullsisë.

Të dhënat e vitit 2026 tregojnë se balancat demografike kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme, por veriu i Shqipërisë mbetet vatra më e prekur, ku braktisja po ndodh me ritmet më të shpejta dhe më shqetësuese.