Lëvizja Vetëvendosja me Qendër në Shqipëri ka dënuar ashpër aktin terrorist të bërë ndaj sindikalistit dhe ish-kandidatit për deputet Elton Debreshi, makina e të cilët shpërtheu mëngjesin e sotmë pasi i iste vendosur një sasi eksplozivi.
Përmes një postimi në Facebook, VV thekson se sulmi ndaj Debreshit erdhi pikërisht disa ditë pasi ai dhe kolegu i tij Beqir Duriçi fituan gjyqin për dëmshpërblinm ndaj kompanisë ‘Albchrome’ të Samir Manes.
Postimi i VV:
Dënojmë krimin dhe terrorin e drejtuar ndaj sindikalistit Elton Debreshi
Në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi eksplozivi ka shpërthyer automjetin e Elton Debreshit, minatorit që drejton Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar në Bulqizë, dhe ish kandidat i pavarur për deputet. Automjeti ka qenë pranë shtëpisë së tij, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. Shprehim solidaritetin me z. Debreshi, familjen dhe kolegët e tij, duke e dënuar këtë krim që duket se tenton të godasë më gjerë edhe sindikalizmin dhe aktivizmin në Shqipëri. Organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë duke bërë zbardhjen e plotë të këtij akti që përveç sulmit ndaj Elton Debreshit mund të ketë si synim edhe përhapjen e terrorit më gjerë.
Në vititn 2019, Elton Debreshi dhe disa prej kolegëve të tij sindikalistë janë pushuar nga puna nga kompania “AlbChrome” në pronësi të Samir Manes, për shkak të angazhimit të tyre sindikalist. Këtë javë kolegu sindikalist i Elton Debreshit, minatori Beqir Duriçi, gjithashtu i pushuar nga puna, ka fituar gjyqin në shkallën e parë për dëmshpërblim nga kompania “AlbChrome”. Minatorët në Bulqizë janë nën kërcënimin e vazhdueshëm nga pronarët e kompanive që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe kushtet bazë të punës, mungesa e të cilave u ka marrë jetën me dhjetra minatorëve. Nga ana tjetër, kur minatorët janë organizuar për të mbrojtur të drejtat e tyre e për të kërkuar Statusin e Minatorit, ata janë kërcënuar në mënyra nga më të ndryshmet.
Përmes taktikave mafioze, dhuna ndaj minatorëve është strukturore dhe e drejtpërdrejtë. Akte të tilla kriminale jo vetëm duhen dënuar njëzëri që të ketë përgjegjësi penale, por edhe duhet të shërbejnë si thirrje për angazhim për drejtësi sociale!
Tiranë, 27 gusht 2021
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri