Më në fund ka një lajm të mirë për banorët e fshatit Dom e Zall Rripë në Njësinë Administrative gurrë në Bashkinë e Klosit. Kjo e fundit ka finalizuar procedurat për ndërtimin e urës së re që do të lidhë këto fshatra me rrugën nacionale Burrel – Klos. Në afërsi të urës ekzistuese është vendosur tabela që informon mbi investimin që pritet të fillojë së shp[ejti. Nga të dhënat e publikuara në këtë tabelë, ura do të jetë beton dhe do të kushtojë 70.5 milion lekë të rinj pa tvsh ose 671 mijë euro.

Ndërtimi i urës do të marrë një kohë prej gjashtë muajsh nga nisja e punimeve.

Zbatues të projektit për ndërtimin e kësaj ure do të jenë kompanitë “Vëllezërit hysa” sh.p.k dhe “Radika” sh.p.k, ndërsa kontrata me Bashkinë e Klosit është lidhur me datë 28 Shtator të këtij viti.

Banorët e fshatrave Dom e Zall Rripë në Njësinë Gurrë, prej dekadash prisnin një investim të tillë, pasi ura aktuale tip pasarel ju rrezikonte jetën vazhdimisht, madje në këtë urë ka patur edhe viktima, për shkak të rënies prej saj në lumin Mat.

Ndërtimi i urës së re pritet të zgjidhë një gangrenë të kahershme të këtyre fshatrave, të cilët tashmë pritet të jenë më të sigurtë teksa lëvizin drejt Burrelit apo destinacioneve të tjera.