Shpallet fituesi i tenderit për ndërtimin e urës së Karicës?

Shpallet fituesi i tenderit për ndërtimin e urës së Karicës?

Autoriteti rrugor Shqiptar ka tenderuar projektin për ndërtimin e urës së re të Karicës pjesë e rrugës nacionale Burrel – Skuraj. Nga verifikimet e bëra në faqen zyrtare të ARRSH, rezulton se me datë 12 Qershor të këtij viti është bërë njoftimi për specifikimet e tenderit për rehabilitimin e ndërtimin e Urave të Grupit A1, ku bëjnë pjesë ura me lokalitet në Klos dhe Ura e Karicës. Procedura për përzgjedhjen e kompanisë apo bashkimit të kompanive fituese për zbarimin e projektit për ndërtimin e urës së Karicës është mbyllur një ditë më parë me 27 Korrik në orën 10:00 paradite. Megjithëse kjo procedurë konsiderohet e mbyllur dhe autoriteti Rrugor Shqiptar pritet të shpallë publikisht fituesin, nga hulumtimet tona të deritanishme nuk rezulton të jetë publike procedura, teksa kjo e fundit do të duhet të vendoset pranë kantierit të ndërtimit. Ura e Karicës, e cila është pjesë e rrugës nacionale Burrel – Skuraj, është përfshirë në projektin e 27 urave në mbarë vendin, të përzgjedhura sipas emergjencës së gjendjes së tyre nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Projekti me financim kredie nga Banka Botërore për këto ura kap vlerën e 100 milion dollarëve. Burimet thonë se ndonëse projekti ka nisur që në vitin 2022, deri tani janë ndërtuar jo më shumë se tre ura nga totali prej 27 të përcaktuara për ndërhyrje.