Një banesë shekullore në Lurë të Dibrës është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të enjteje.
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë ka qenë një çift të moshuarish, të cilët fatmirësisht kanë arritur të largohen pa pësuar lëndime.
Zjarri i rënë në banesë ka djegur gjithçka, duke lënë në qiell të hapur familjen Tollja.
Kryefamiljari Sabri Tollja tha se zjarri ka qenë i menjëhershëm dhe e kanë konstatuar vetëm pasi është bërë banesa me tym, ku në atë moment është menduar vetëm se si të shpëtojnë bashkë me bashkëshorten.
Në ndihmë të familjes Tollja kanë shkuar banorë të fshatit, por e kanë patur të pamundur për të shuar flakët që kishin përfshirë gjithë banesën.
Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa pritet raporti i grupit hetimor, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet.