Një masiv shkëmbor në Shkopet, i cili rrezikonte jetën e udhëtarëve pasi mund të shembej nga çasti në cast, është larguar nga firma mirëmbajtëse.
Shkëmbi ndodhej në afërsi të tunelit të vogël ku prej ditësh ishte vënë re nga kalimtarët që kishte nisur të shkëputej. Kanë qenë udhëtarët ata të cilët e kanë ngritur shqetësimin në media të ndryshme, ndërsa më pas ka ardhur reagimi i firmës mirëmbajtëse të rrugës Skuraj – Burrel.
Punëtorët e kësaj firme kanë bërë të mundur largimin e masivit shkëmbor, të cilin fillimisht e kanë shembur nga shpati i malit e më pas e kanë larguar nga rruga me një mjet tip fadromë.
I gjithë procesi është monitoruar nga efektivët e policisë rrugore të cilët kanë bërë edhe menaxhimin e trafikut gjatë gjithë procesit të punës.
Aksi rrugor Skuraj – Ura e Ulzës vazhdimisht është problematik për shkak të shembjes së gurëve apo masiveve shkëmbore si pasojë e mungesës së rrjetës mbrojtëse në faqet e shpateve buzë rrugës nacionale.