Fshati Smollik, në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës, nuk ka një godinë të mirëfilltë arsimore. Nxënësit e këtij fshati e bëjnë mësimin në një banesë të lënë në përdorim nga një banor i zonës. Megjithëse numri i nxënësve është i ulët, ata nuk kanë ambjent të mirëfilltë për të zhvilluar procesin mësimor. Banesa ku ata bëjnë mësim ndodhet në skaj të fshatit dhe është mes bimësisë. Nxënësit thonë se kanë frikë të shkojnë në shkollë pasi rrezikohen nga kafshët e egra. Ata kërkojnë që shkolla të bëhet brenda fshatit në mënyrë që të paktën të jenë të sigurtë.

 Ndërkohë, drejtues të arsimit në Bashkinë e Bulqizës thanë se për këtë fshat po studiohet një zgjidhje, ku brenda pak ditësh, do të vendoset në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve një ambjent në brendësi të fshatit. Për shkak të pozicionit gjeografik, nxënësit e kanë të pamundur të transferohen në shkolla të tjera, ndaj zgjidhja e vetme është ta kenë brenda fshatit Smollik.