Shkolla e mesme e Bashkuar Xibër po i nënshtrohet një rikonstruksioni të pjesshëm. Ajo është përfshirë në projektin e efiçensës së energjisë elektrike i cili synon të reduktojë koston e shpenzimit të energjisë në institucionet publike në vendin tonë.

Aktualisht puna është përfqendruar në veshjen me sistemin kapot të të gjithë sipërfaqes së jashtme të kësaj shkolle, në mënyrë që të reduktohet sa më shumë përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje qoftë me energji elektrike e qoftë me dru zjarri.

Drejtues të Bashkisë Klos thanë se rikonstruksioni i pjesshëm i kësaj shkolle nuk konsiston vetëm me veshjen me sistem kapot të mureve, por do të ketë edhe ndërhyrje të tjera.

Sipas tyre, dyert e dritaret do të ndërrohen të gjitha dhe do të vendosen ato që i përshtaten veshjes së jashtme të shkollës. Po ashtu, do të ketë edhe riparim të çatisë dhe tubave të shkakrimit të ujërave të shiut.

Me të njëjtën formë po bëhet edhe rikonstruksioni i pjesshëm i shkollës 9-të vjeçare “Tahir Hoxha” në qytetin e Klosit. Investimi pritet të mbyllet para se të nisë viti i ri shkollor në muajin Shtator.