Shkëmbi në rrugën nacionale Burrel – Klos në rrezik shembje, banorët japin alarmin
Pak muaj më parë një masiv i madh shkëmbor u shemb në vendin e quajtur “Përroi i Keçit” në rrugën nacionale Burrel – Klos. Shirat e mëdha kishin dëmtuar masivin shkëmbor duke vënë në rrezik jetën e banorëve. Por gjendja siduket nuk ka ndryshuar pasi një tjetër masiv shkëmbor është gati në shembje. Kanë qenë banorët e zonës ato që kanë ngritur shqetësimin. Majkëll Lleshi thotë se shkëmbi është gati të bjerë në rrugën nacionale dhe të jetë rrezik për të goditur automjetet që qarkullojnë gjatë gjithë kohës. Ky masiv shkëmbor gati në shembje është mbi kthesën e fundit para se të futesh tek “Përroi i Keçit” në drejtim të Klosit, ç’ka e bën të padukshëm edhe për udhëtarët. Kujtojmë se pak ditë më parë në rrugën Përrenjas – Librazhd një masiv i tillë shkëmbor u shkëput dhe goditi një automjet në lëvizje duke i marrë jetën një 42-vjeçari.