Në fshatin Shkallë, të njësisë Xibër, Bashkia Klos, banorët e lagjeve “Meta”, “Musta” dhe “Hoxhaj” vazhdojnë të jenë të izoluara pas dëmtimit të urës që i lidhte ato me rrugën e Arbrit. Kjo ndodhi gjatë punimeve të ndërtimit të rrugës së Arbrit nga firma zbatuese, e cila premtonte rindërtimin e urës, por ka lënë banorët në një situatë të vështirë. 40 familje dhe nxënës shkollash po përballen me izolim dhe rrezik të shtuar për sigurinë e jetës, pas dëmtimit të urës nga firma zbatuese e punimeve të rrugës së Arbrit.

Banorët e tre lagjeve, tashmë të izoluara, përdornin këtë urë si rrugë kalimi për të arritur tek tokat e tyre në pronësi përtej rrugës së Arbrit. Megjithatë, ankesat e tyre nuk janë marrë në konsideratë nga firma zbatuese dhe as nga pushteti vendor. Për të shpëtuar nga izolimi, banorët kanë ndërtuar një urë provizore, por kjo nuk është e mjaftueshme dhe sjell rreziqe të mëdha, sidomos gjatë reshjeve të shiut.

Vebi Meta, një banor i fshatit Shkallë, shprehet për situatën e vështirë dhe rrezikun e jetës së kalimtarëve mbi urën provizore gjatë kohës së reshjeve të shiut.

Fitim Hoxha, anëtari i Pleqësisë së fshatit Shkallë, thekson se kanë ngritur shqetësimin për rindërtimin e urës së dëmtuar në instancat përgjegjëse dhe kërkon ndërhyrjen e tyre urgjente. Gjithashtu Hoxha thotë se është kërkuar edhe ndërtimi i një rruge dytësore me rrugën e Arbrit, si një alternativë për të shmangur aksidentet dhe për të garantuar sigurinë e jetës së banorëve.

Banorët e fshatit Shkallë presin një reagim të shpejtë dhe efikas nga autoritetet lokale dhe firma zbatuese e rrugës së Arbrit për të përmirësuar këtë situatë të rëndë të krijuar dhe për të siguruar që banorët të mos jenë më të izoluar në rrugët e tyre të përditshme.