Ditën e hënë, qyteti i Burrelit dhe zona përreth tij patën ndërprerje të energjisë elektrike nga ora 10:00 e paradites deri në orën 15 e 45 minuta. Kjo ndërprerje ishte njoftuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pas kërkesës së bërë nga Operatori i Transmetimit të Energjisë Elektrike. Në njoftimin e dhënë në faqen zyrtare të OSSH, thuhet se me kërkesë të OST e cila do të kryejë remont në disa fidera të Nënstacionin Burrel, gjatë intervalit kohor 08:00-15:00 do të stakohet energjia në këto zona në Mat: si fshatrat Komsi, Frankth, Selicë, German, Batër e Madhe, Pjezë, Muzhakë, dhe lagjet e qytetit të Burrelit: “Pjetër Budi”, “Drita”, “Partizani”, Lagjia e Re dhe rrethinat.

Ndërkohë reshjet e shiut kanë ndërprerë punën për montimin e linjës së re Komsi – Peshkopi e cila ka nisur të ndërtohet prej 3 vitesh. Ndërsa me përmirësimin e motit pritet që të Mërkurën të ketë ndërprerje të energjisë në orarin e njoftuar nga OSSH. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Operatorit të Sistemit të Transmetimit investimi do të garantojë operimin optimal të burimeve hidrike të zonës duke shmangur reduktimin e gjenerimit në periudhën me shumë ujë, do të mundësojë lidhjen në rrjet të burimeve të reja dhe pritet të ketë një impakt të madh në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike.