Reshjet e shiut të rëna me intensitet të lartë në zona të lokalizuara kanë krijuar probleme në rrugët nacionale të Qarkut Dibër. Këtë të shtunë, si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme në segmentin e rrugës së Arbrit mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës pati rënie gurësh.

Segmenti nga Qafa e Buallit deri tek varrezat e qytetit të Bulqizës u mbush me gurë, të cilët herë pas here janë larguar nga drejtuesit e automjeteve, por edhe nga punëtorët e firmës mirëmbajtëse.

Rënia e gurëve në këtë segment rrugor ka qenë vazhdimisht problematike që me hapjen e këtij aksi më shumë se 10 vite më parë. Si pasojë e mungesës së rrjetës mbrojtëse, gurët në të dy anët e rrugës përfundojnë në asfalt duke vënë në rrezik jetën e drejtuesve të mjeteve dhe udhëtarëve.

Rënie gurësh ka patur edhe në segmentin tjetër të rrugës së Arbrit, në zonën e Xibrit, por që nuk janë bërë pengesë për qarkullimin e automjeteve.

Si pasojë e reshjeve të shiut, pati rënie gurësh edhe në rrugën nacionale Burrel – Skuraj, në segmentin e Shkopetit.