Një sherr masiv ka ndodhur në Trebisht të Bulqizës ku janë dhunuar disa persona. Ndërkohë, ka qenë ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë të cilët bënë të mundur neutralizimin dhe shoqërimin në Komisariat të personave të përfshirë në konflikt, që mund të kishte pasoja për jetën.
Nga veprimet e shpejta rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në ambientet e një lokali në fshatin Trebisht, shtetasit A.O, P.O, dhe H.O, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit B.Z, E.D, P.D, dhe I .D., duke përdorur dhe sende të forta ndaj njëri-tjetrit. Si pasojë e konfliktit kanë mbetur të dëmtuar shtetasit P.D, dhe I.D, të cilët ndodhen në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë për mjekim më të specializuar. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit Azem dhe Pelikron Osmani 32 dhe 45 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, ndërsa për 5 shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt nisi procedimi penal nën akuzën “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.