I bindur në misionin, të cilit i ka kushtuar jetën, i veshuri kuqezi, arriti që të zmbrapste killerin dhe gjakatarin e pamëshirshëm, që mban mbi kurriz disa vepra të rënda kriminale.

Orges Bilbili, njeriu që prej shtatë vitesh kërkohej në çdo skutë nga drejtësia shqiptare, ra në pranga nga një efektiv i vetëm. Me skafandë në kokë dhe i hipur në një motor, efektivi i forcave “Shqiponja”, arriti që vetëm me një pistoletë, të nënshtronte dhe të shtrinte në tokë, autorin e masakrës së Lushnjes, që u ka shpëtuar për disa herë operacioneve të mirë organizuara nga Grupi i Operacioneve Speciale, forcat RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Polici që sot ka bërë krenarë të gjithë kolegët e tij dhe strukturat e larta të kupolës së shtetit, nuk pati nevojë për operacion të mirëfilltë, për armatim deri në dhëmbë dhe nuk u zbraps as kur dëgjoi nga goja e Bilbilit: Ik se do të vras.

I bindur në misionin, të cilit i ka kushtuar jetën, i veshuri kuqezi, arriti që të zmbrapste killerin dhe gjakatarin e pamëshirshëm, që mban mbi kurriz disa vepra të rënda kriminale.

A duhet që ky efektiv të nderohet? A i meriton ky efektiv mirënjohje publike dhe të bëhet shembull?

Jo, aspak! Gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë efektivit është që të bëhet shembull dhe të marrë mirënjohjeje publike… Dhe kjo, jo për faktin se ai nuk bëri heroizëm, por ai nuk e meriton të ekspozohet ndaj bashkëpunëtorëve të Bilbilit, që me siguri në këto momente po trokasin në dyer të shumta, duke ofruar shpërblime të majme, vetëm për të shtënë në duar, emrin e punonjësit të Policisë së Shtetit, që sot i ndërpreu karrierën mikut të tyre.

Bërja publike e identitetit të efektivit do t’i rrezikonte hapur jetën, pasi kriminelët e rrezikshëm nuk falin dhe shpërblimi i vetëm që do të merrte heroi i sotëm, do të ishte një plumb në kokë. Për të mos përmendur më pas, edhe rrezikun që mund t’i kanoset familjes së tij.

Efektivi i Shqiponjave meriton që ne të gjithë të heshtim dhe t’i mbrojmë jetën në heshtje. Ai sot hoqi nga ‘tregu’ një kriminel mjaft të rrezikshëm dhe meriton mbrojtje si shpërblim. Një mbrojtje që mund t’i jepet nga kolegët e tij, kupola e Shtetit, gazetarët, edhe nga vetë ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj, i cili teksa e falenderonte bëri një gabim fatal…

Vetë Ministri që duhet të kërkojë mbrojtjen e këti efektivi, e ekspozoi këtë të fundit duke i zbuluar zërin dhe trupin. Në videon ku Lleshaj shihet që ka thirrur trimin e sotëm, duket qartë trupi i policit dhe dëgjohet akoma më qartë zëri i tij. “Më drejtoi armën kështu dhe…”– dëgjohet ai të thotë përballë ministrit.

Këto janë detaje mjaft amatore dhe sado të parëndësishme mund të duken, nesër mund të prodhojnë të shtëna të tjera.

Prandaj, nëse edhe ti i je mirënjohës efektivit të sotëm, hesht!

Burimi: Dosja.al