E vetmja vatër zjarri aktive në të gjithë Qarkun Dibër mbetet ajo në zonën e Lurës. Prefekti Nexhbedin Shehu tha se prej dy javësh në në parkun kombëtar “Lurë – Mali Dejës” specialistë të bashkisë Dibër, të zonave të mbrojtura, të shërbimit zjarrfikës, dhe të forcave të armatosura po përballen me flakët në disa vatra që janë aktivizuar në zona të ndryshme. Shehu shtoi se falë punës intensive të bërë, edhe zjarri në Lurë është drejt fikjes së plotë dhe situata pritet t’i rikthehet normalitetit. Nga ana tjetër, Prefekti Nexhbedin Shehu u bëri apel banorëve për të disatën herë të mos bëhen shkak për ndezjen e zjarreve në pyje dhe të denoncojnë çdo rast që mund të konstatojnë apo të kenë dijeni mbi zjarrvëniet e qëllimshme, për të shpëtuar nga zhdukja këto pasuri tona të përbashkëta.