Policia rrugore e Qarkut Dibër ka shtuar kontrollet me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, si dhe evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor.
Gjatë 10 ditëve të para të muajit Shtator, si rezultat i këtyre kontrolleve, janë arrestuar e proceduar 8 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.
Gjithashtu, si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore janë ndëshkuar 15 drejtues mjetesh, për shpejtësi mbi normat e lejuara. 114 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara, 14 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 66 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 10 drejtues automjetesh, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, 172 drejtues automjetesh për parkime të gabuara, 2 drejtues automjetesh pasi kanë kryer manovra të rrezikshme dhe janë bllokuar 6 automjete e motomjete.
Policia Rrugore e Dibrës vijon kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.