Rrugët rurale të paasfaltuara në Bashkinë e Matit ishin kthyer në problemin më të madh të banorëve. Shumë prej rrugëve ishin bërë gati të pakalueshme e disa të tjera vijojnë të jenë problematike. Por Bashkia e Matit ka nisur disa fronte pune për të mos penguar lëvizjen lirshëm të banorëve.

Prej pak ditësh ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës së fshatit Bushkash në Njësinë Administrative Ulëz, rrugë kjo e cila ishte kthyer në një gangrenë për banorët. Po ashtu paralelisht po punohet edhe në rrugën e fshatit Batërr e Vogël ku po hapen kanalet kulluese që i shërbejnë jo vetëm rrugës, por edhe mbrojtjes së tokave nga përmbytjet.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se puna do të vijojë edhe në rrugët e tjera problematike, ndërsa shtoi se në fillim të vitit të ardhshëm flotës së rrugëve do t’i shtohen edhe disa mjete të tjera.

Puna e Bashkisë Mat ka nisur në rrugët më problematike, ndërsa pas njësisë Ulëz puna pritet të vijojë në njësinë Baz.