Plot 10 vite më parë, banorë të njësive administrative të Matit por edhe të Mirditës, do t’i gëzoheshin ndërtimit të rrugës së re të asfaltuar nga Shoshajt – në Rrëshen. Por një dekadë më pas, ky aks rrugor është bërë thuajse i pakalueshëm. Financimi i bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, 10 apo 11 vite më parë, mbeti në mëshirë të fatit, pasi me zbatimin e reformës administrative-territoriale në vitin 2015 rruga nuk u inventarizua.

Para zbatimit të kësaj reforme, ajo ishte në inventar të Këshillit të Qarkut Dibër por këtij të fundit reforma ja hiqte të gjitha pronësit mbi rrugët e vendit. Në këto kushte, ky aks i sapo ndërtuar duhej t’i kalonte pushtetit vendor, por për arsye se rruga u degradua nga cilësia e dobët e punimeve, pushteti vendor nuk e mori.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Autoriteti Rrugor Shiqptar i cili ka refuzuar për vite me radhë të marrë në inventarin e saj këtë rrugë, për shkak të dëmtimit të saj.

Ndërkohë, vitin e kaluar, ARRSH mori në pronësi të saj segmentin nga Shoshajt deri tek Lapidari Zenisht, ndërsa pjesa tjetër në drejtim të Urakës ende nuk është marrë në dorëzim. Investimi i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka mbetur si mall pa zot, ndërsa drejtuesit e mjeteve vijojnë të vuajnë gjendjen e degraduar në maksimum të kësaj rruge.