Kjo është pamja e rrugës nacionale Zenisht – Rrëshen në afërsi të urës së Urakës. Siç duket nga pamjet, balta e dherat kanë mbuluar gjithë trasenë e rrugës, duke e kthyer atë në gati të pakalueshme. Situata është përkeqësuar pas reshjeve të fundit të shiut, të cilat kanë shtuar ujërat sipërfaqësore që kanë shembur dheun dhe baltën. Veç baltës, në këtë segment të kësaj rruge ka prani edhe të gropave të mëdha, të cilat janë kthyer afro prej 1 dekade në një gangrenë të madhe për të gjithë përdoruesit e rrugës. Drejtuesit e mjeteve flasin me ironi mbi gjendjen e kësaj rruge, duke e konsideruar si më të veçantën për llojin e saj. Ata thonë se problemet në këtë segment janë gjatë gjithë vitit, por më shqetësuese situata bëhet kur ka reshje shiu apo gjatë stinës së dimrit.

  Rruga Zenisht – Urakë është pjesë e investimit të aksit nacional Ura e Matit – Rrëshen, e cila u ndërtua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vitin 2013 – 2014, por që nuk u inventarizua nga asnjë institucion për shkak se u dëmtua shumë shpejt. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka marrë në dorëzim vetëm 4.3 kilometra të kësaj rruge, nga Ura e Matit deri tek lapidari Zenisht, duke lënë në mëshirë të fatit gjithë pjesën tjetër të rrugës.