Aksi rrugor nacional Peshkopi – Kukës i cili iu shërben mijëra banorëve të Njësive Administrative të Bashkisë Dibër, është në gjendje të mjerueshme. Problemet më të mëdha të këtij aksi rrugor janë në hyrje të qytetit të Peshkopisë. Gropat e mëdha në asfalt të japin pamjen e një rruge rurale. Drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë aks rrugor janë të irrituar me gjendjen dhe të indinjuar me autoritetet përgjegjëse. Ata shprehen se mëgjithëse paguajnë çdo detyrim ndaj shtetit, përballen me gjendjen e vështirë të kësaj rruge çdo ditë. Sipas drejtuesve të mjeteve, edhe pse për këtë rrugë paguhen qindra miliona lekë për mirëmbajtje, prej vitesh nuk është vënë dorë në të, duke e kthyer atë si ndonjë rrugë lufte.
Ndërkohë banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge shprehen se në ditët me shi është vështirë të kalosh edhe në këmbë pasi e mbulon rrugën balta, ndërsa gjatë verës, pluhuri.
Aksi nacional Peshkopi – Kukës është nën varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, por që në të kalojnë 2/3 e banorëve të Bashkisë Dibër, ku dhe kjo e fundi hesht ndaj këtij problemi.