Autoambulancë dhuratë për Qendrën Shëndetësore Martanesh

Autoambulancë dhuratë për Qendrën Shëndetësore Martanesh

Qendra Shëndetësore Martanesh do të ketë tashmë një autoambulancë të sajën për të transportuar të gjithë të sëmurët drejt spitalit të Bulqizës. Kjo është bërë dhuratë falë nismës dhe financimit të dy djemëve të kësaj zone të cilët janë rritur aty apo janë me origjinë prej andej. Autoambulanca është bërë e mundur nga sipërmarrësi Dritan Dema dhe Drejtori i Spitalit Bashkiak Mat, Erion Bala. Këta të fundit bënë dorëzimin e automjetit, i cili nga sot do të jetë në shërbim të banorëve të Martaneshit. Dorëzimi i këtij automjeti për transport shëndetësor u prit nga banorë të Krastës, përfaqësues të pushtetit vendor dhe stafi i Qendrës Shëndetësore. Këta të fundit falenderuan donatorët për këtë dhuratë që i bëhet Martaneshit. Ndërkohë, vetë iniciatorët dhe donatorët e këtij automjeti, Erion Bala e Dritan Dema u shprehën se e ndjenin obligim për të kontribuar në vendin nga vijnë e ku u rritën. Nisma të tilla janë bërë edhe në Qendra të tjera Shëndetësore si në Shupenzë e Klos.