Kjo është rruga që lidh Mirditën dhe Matin me Lurën dhe që i shërben jo vetëm banorëve por edhe zhvillimit turistik të një prej vendeve më të bukura në Qarkun Dibër. Projekti për “Rikonstruksion, asfaltim dhe përmirësimin e rrugës Perlat – Fushë Lurë” ka nisur që në Qershor të vitit 2022. Megjithëse janë bërë shumë volume punimesh, përfundimi i këtij investimi duket ende shumë larg.

Deri tani janë ndërtuar disa nga veprat e artit, por ka ende të tjera që nuk kanë nisur. Megjithëse në tabelën e vendosur në hyrje të rrugës së Lurës thuhet se afati i përfundimit të punimeve është 24 Muaj kalendarik, në terren nuk rezulton kështu, pasi kanë kaluar 7 muaj nga ky afat dhe nuk ka asnjë pëllëmbë asfalt.

Nga vëzhgimi i bërë në një pjesë të kësaj rruge drejt Kurbneshit, vihet re se nuk ka asnjë metër rrugë të asfaltuar, ndërsa banorët hezitojnë të flasin para kameras. Jashtë saj, banorët shprehen se nuk kanë më asnjë shpresë që kjo rrugë e cila do t’i afronte më shumë me qytetet, do të asfaltohet ashtu siç është përcaktuar në kontratë.

Fondi prej afro 12.6 milion euro për këtë vepër që do t’i shërbente shumë zhvillimit të turizmit në Lurë është një donacion i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i përfshirë nga qeveria shqiptare në Programin për Zhvillimin e Infrastrukturës dhe Turizmit në Shqipëri nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.