Aksi nacional Klos – Bulqizë, pjesë e rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi, vijon të jetë në gjendje të degraduar. Duke qenë se kjo rrugë tashmë përdoret nga shumë pak automjete, kryesisht ato të tonazhit të rëndë, por edhe nga banorët e fshatrave Kloskatund, Plan i Bardhë e Shëngjun, vëmendja e autoriteteve për mirëmbajtje është e pakët.

Siç duket nga pamjet, asfalti në këtë rrugë ka ardhur në degradim të plotë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.

Më problematike situata është në fshatin Kloskatund, ku edhe pse është bërë disa herë riveshja e asfaltit, rruga mbetet e dëmtuar dhe problematike për të gjithë drejtuesit e automjeteve që zgjedhin të qarkullojnë në të.

Specialistët e ndërtimit të rrugëve thonë se në vendin tonë nuk përdoren standartet kur bëhet riparime, ndaj dhe ka dëmtim të shpejtë ajo pjesë që rregullohet.

Ata shprehen se në një pikë ku rruga prishet si rezultat i deformimit të nënshtresave, atëherë duhen bërë nënshtresat fillimisht në mënyrë që të ketë jetëgjatësi.

Aksi nacional Klos – Bulqizë është pjesë e kontratës B të mirëmbajtjes së aksit qëndror e verilindor me një vlerë prej 14 milion eurosh për katër vite.