Shirat e rrëmbyeshëm të rëna gjatë muajit Nëntor kanë krijuar probleme të shumta në rrugët rurale.

Kjo që shihni është rruga e fshatit Petralbë në Njësinë Administrative Xibër, në Bashkinë e Klosit.

Siç duket nga pamjet, rruga është bërë gati e pakalueshme për shkak të ujërave të rrëmbyeshëm të shirave të rëna gjatë këtyre ditëve.

Jashtë kameras, banorët thonë se në këtë rrugë nuk është vënë dorë që kur është hapur rruga e Arbrit. Kjo për shkak se qarkullimi është përqendruar më shumë në rrugën që lidh Gurin e Bardhë nëpërmjet fshatit Shkallë me rrugën e Arbrit.

Ndërkohë, rruga e fshatit Petralbë ka qenë pjesë e rrugës kryesore për të gjithë njësinë administrative Xibër, ndërsa për ta kjo është rruga në të cilën duhet të futen në rrugën e Arbrit tek rrethrrotullimi në fshatin Fshat.

Banorët kërkojnë që kjo rrugë të mirëmbahet ashtu si rrugët e tjera, pasi nëse do të vazhdohet kështu, aksi rrugor kryesor i fshatit Petralbë rrezikon të dëmtohet i gjithi dhe të mos kenë më komunikim me rrugën e Arbrit.