Rruga që lidh Njësinë Administrative Martanesh me rrugën nacionale në Qafën e Buallit vijon të jetë problematike. Në stinën e dimrit një problem i shtuar në këtë rrugë është edhe prania e akullit.

Çdo mëngjes, drejtuesit e mjeteve që lëvizin drejt Martaneshit por edhe anasjelltas, përballen me akull në rrugë në disa segmente për shkak se nuk përfshihen nga rrezet e diellit.

Më problematike situata paraqitet në afërsi të Qafës së Buallit. Siç duket nga pamjet, e gjithë rruga ka shtresë akulli duke vënë në rrezik përdoruesit e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve që e njohin terrenin, tregojnë kujdes teksa lëvizin në këtë segment, ndërsa të tjerët përballen me befasi.

Ndërkohë, i gjithë aksin vijon të jetë problematik sa i përket gropave. Megjithëse kjo rrugë është tenderuar për tu rehabilituar e plotë, momentalisht ka prani të madhe të gropave të cilat vështirësojnë lëvizjen.

Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve shprehen se rruga duhet të shtrohet me zhavor vazhdimisht deri sa të nisë puna për rehabilitimin e plotë të saj. Problemi më i madh është në ditët me shi, pasi nuk identifikohet nga drejtuesit e mjeteve se sa e thellë është gropa në rrugë.