Shirat e rrëmbyeshëm të javës së fundit kanë bërë që rruga nga Qaf Bualli në Krastë të Martaneshit të bëhet gati e pakalueshme. Ky aks rrugor është shumë jetik për banorët e Martaneshit dhe të gjithë minatorët që punojnë në subjektet minierare të kësaj zone. Gropat janë shfaqur thuasje në të gjithë aksin, por nuk mungojnë as kanalet përmes rruge, të krijuara si pasojë e vërshimit të ujërave të shiut. Drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët e quajnë “katastrofë dhe të rrezikshme” gjendjen e rrugës. Ata shprehen se mosfunksionimi si duhet i kanaleve kulluese dhe i tombinove ka bërë që uji të rrjedhë në rrugë, duke krijuara këto problematika. Sipas tyre, nëse nuk ndërhyhet menjëherë në përmirësimin e gjendjes së aksit, mund të ndodhin aksidente pasi drejtuesit e mjeteve ju shmangen këtyre problemeve, duke rrezikuar mjetet e tjera.

  Aksi rrugor Qaf Buall – Krastë është hedhur në tenderim vetëm pak ditë më parë nga ARRSH. Pritet dalja e firmës fituese që më në fund kjo rrugë të shtrohet e gjitha me asfalt, ashtu siç përdoruesit e këtij aksi e meritojnë prej dekadash.