Rritet gatishmëria ndaj zjarreve, Shehu: ka shtim të zjarrfikësve dhe mjeteve
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu deklaron se ky sezon veror do të ketë mbikqyrje më të rreptë sa i përket zjarreve që mund të shkaktohen në të gjithë territorin e qarkut. Sipas Shehut në takimet e vazhdueshme me pushtetin vendor dhe shërbimet zjarrfikëse në të katër bashkitë është kërkuar rritje gatishmërie dhe baze logjistike për ndërhyrje të shpejtë në rast të zjarreve. Një tjetër masë e marrë është dhe delegimi i detyrës për të gjithë administratorët e Njësive Administrative dhe Kryetarët e fshatrave që të bëjnë lajmërim të menjëhershëm kur aktivizohen vatra zjarri. Sipas Prefektit të Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, ky sezon veror do të menaxhohet ndryshe nga ai i vitit të kaluar. Me rritjen e temperaturave vatrat e zjarreve që aktivizohen në masivet pyjore bëhen thuajse të pamenaxhueshme, gjë që shkakton qindra miliona lekë dëm ekonomik.