Mbi 22 milionë euro me këmbimin e sotëm valuator ka kushtuar ndërtimi i rrugës nga Rrësheni deri tek Ura e Matit në Shoshaj, i ndërtuar dhjetë vite më parë. I ndarë në dy lote, fillimisht është ndërtuar segmenti nga Rrësheni në Urakë, i cili ka kushtuar 1 miliard e 309 milionë e 843 mijë e 328 lekë të rinj, ose afërsisht 12.7 milionë euro, inauguruar nga kryeministri i kohës, Sali Berisha në muajin Maj të vitit 2013.

Ndërsa loti i dytë i kësaj rruge nga Uraka deri tek Ura e Matit në Shoshaj, i nisur në Shtator 2013 dhe përfunduar në vitin 2014, ka kushtuar 991 milionë e 500 mijë e 890 lekë, ose me kursin aktual të këmbimit valutor afro 9.7 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka bërë edhe investimin, rezulton se e gjithë rruga ka kushtuar 22.4 milion euro, por që sot ky aks i ashtuquajtur “Koridori i Matit” është gati në bllokim të plotë të qarkullimit, për shkak të problemeve të shumta si me shembjen e dherave, prishjen e asfaltit apo shembjen e një ure.

Nëse e paralelizojmë me investime të ngjashme të bëra po në të njëjtën periudhë si rruga Lapidari Zenisht – Lis, Burrel – Komsi apo Ura e Shulbatrrës – Gurrë e Vogël, gjendja nuk ka të krahasuar.

“Koridori i Matit” pritet tashmë të inventarizohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar e më pas do të procedohet për mirëmbajtje apo investim të plotë, siç bëhet me të gjitha rrugët kombëtare në vendin tonë.