Fragment i shkëputur nga libri i Hasan Pashës, “Të pathënat e 30 viteve”.
3 maj 1996. Në Pallatin e Sportit Burrel dega lokale kishte thirrur një miting elektoral. Po çfarë ndodhi atë fillim maji? Që në maloren e Ulzës makinat e PS-së ishin sulmuar me gurë, drunj e sende të tjera. Në krye ishte vënë në horr i Policisë, ish-shefi i Komisariatit Mat, Alfred Haxhia. Në hyrje të qytetit, tek agjensia, kishin dalë të rinj me mjete dhe motoçikleta për të shoqëruar “eskortën” socialiste.
Pa hyrë ende brenda Pallatit të Sportit breshëri gurësh hidhen mbi liderët socialistë dhe xhamat e makinave bëhen shoshë. Haxhia i godiste makinat me qytën e pistoletës dhe radion që mbante në dorë. Atëherë kur fjalën e kishte marrë njëri nga themeluesit e PS-së, brenda pallatit, në mes të parketit, nis përleshje fizike mes individëve që Policia dhe PD-ja kishin futur brenda, për të prishur mitingun e të rinjëve socialistë. Përplasja ishte e fortë.
Moment tjetër delikat ishte dalja e zyrtarëve të lartë të PS-së nga objekti. Teksa mbi socialistët hidheshin sende të forta, gratë matjane, si burrnesha, ndërtuan një “tunel” dhe nuk lejuan goditjen e tyre. Gjendja ishte kritike. Me shumë vështirësi drejtuesit e PS-së u morën në mbrojtje, qëndruan pak minuta në selinë e Partisë Socialiste të rrethit dhe u nisën për Bulqizë.