Bypassi i Murrizit ka qenë një sfidë për drejtuesit e makinave dhe udhëtarët që udhëtojnë nga Dibra drejt Tiranës dhe anasjelltas. Edhe pse firma kontraktuese e Rrugës së Arbrit ka mbushur gropat në gjatësinë e bypassit, ato vazhdojnë të rishfaqen periodikisht. Drejtuesit e makinave shprehen se ky është një problem i madh gjatë gjithë stinëve të vitit. Problemi shfaqet sidomos për shkak të ngushtësisë së rrugës në të dy anët e saj, duke sjellë sfida për drejtuesit që vijnë nga Tirana dhe nga ana e Klosit. Kjo bëhet akoma më e vështirë gjatë periudhave të nxehta, kur sistemi e frenimit mund të mbinxehet, duke rritur rrezikun e aksidenteve të rënda. Drejtuesit e rinj të makinave të cilët nuk e njohin mirë terrenin ose nuk kanë përvojë të mjaftueshme në rrugë të vështira, janë ata që preken më shumë nga këto kushte.

Për fat të keq, aksidentet në këtë segment të rrugës janë të shpeshta, gjë që nxit shqetësimin e banorëve dhe udhëtarëve të këtij qarku.

Megjithatë, disa drejtues makinash e shohin këtë segment si një shqetsim jo aq të madh, nëse tregohet kujdes në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, gjë që mund të reduktojë riskun e aksidenteve derisa të hapet tuneli i planifikuar.

Banorët e Qarkut të Dibrës shpresojnë se hapja e tunelit të premtuar nga qeveria do të sjellë lehtësira të mëdha për udhëtimin në këtë rrugë të rëndësishme kombëtare. Në pritje të realizimit të këtyre premtimeve, ata mbeten të vendosur për të ndjekur zhvillimet e ndërhyrjeve në infrastrukturë në këtë segment rrugor.