Gjyqtari i Gjykatës së Matit Artan Çupi i pezulluar nga KPK për probleme të profesionalizmit, ia doli sipas shumicës në Komision të përmirësohej pas një viti në Shkollën e Magjistraturës. KPK e konfirmoi atë me shumicë votash.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten se kishte vendosur me shumicë votash të konfirmonte në detyrë kryetarin e Gjykatës së Matit, Artan Çupi, pasi një vit më parë e pezulloi atë dhe e dërgoi për rikualifikim në Shkollën e Magjistraturës.
Trupa e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko, bëri me dije se kishte administruar rezulatet që Çupi, 57 vjeç, kishte përmirësuar në shkollë mangësitë që Komisioni i kishte gjetur. “Këshilli pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës dhe Këshilli Drejtues i kësaj shkolla kanë konstatuar rezultate të mira”, tha Bungo para se të lexonte vendimin.
Vendimi që pezulloi dhe më pas konfirmoi Çupin është ndër të paktët e kësaj natyre prej KPK ka marrë që nga fillimi i procesit të vetingut.
Gjyqtari Artan Çupi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Një vit më parë ai iu nënshtrua procesit të vetingut në të tre kriteret dhe relatorja Çiftja vuri në dukje një sërë problemesh në kriterin e pasurisë, atë të figurës dhe atë të profesionalizmit.
Çupit iu gjetën sipas relatimit pasaktësi në deklarimin e pasurisë, kryesisht mbi hua të marra dhe disa balanca negative në vite. Ai u cilësua i papërshtatshëm nga DSIK në kriterin e figurës dhe vetë Komisioni ngriti dyshime në lidhje me këtë kriter. Atij po ashtu iu vunë në dukje probleme të profesionalzimit. “Duket se subjekti nuk e njeh ligjin procedurial penal, pasi ka ndryshuar masën edhe pse e pranon se i pandehuri e ka kryer veprën penale,” tha relatorja Çiftja gjatë seancës dëgjimore.
Çupi i kundërshtoi këto gjetje dhe duket se shumica në trupin gjykues ka pranuar argumentet e tij në kriteret e pasurisë dhe figurës gjë që çoi në vendimin e pjesshëm për dërgimin e tij për rikualifikim dhe sëfundmi në vendimin me shumicë për konfirmim në detyrë.