Në ditën e katërt pas reshjeve të dëborës mësimi në të gjitha shkollat e Bashkisë së Matit i është rikthyer normalitetit. Pas hapjes së rrugëve rurale, të gjitha shkollat që u mbyllën të hënën me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanë hapur dyert për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Ndërkohë, e njëjta situatë paraqitet edhe në Bashkinë Klos. ZVA Klos ka urdhëruar mësuesit që të paraqiten në shkolla këtë të mërkurë për të vijuar mësimin e ndërprerë në fillim të javës.
Sa i përket rrugëve, të gjitha akset e zonave rurale janë hapur për qarkullimin e automjeteve drejt qendrave urbane. Në Njësinë Xibër problem mbetet rruga e fshatit Ketë për shkak të terrenit dhe trashësisë së madhe të dëborës.
Ndërkohë, rruga e Arbrit ka funksionuar normalisht që prej ditës së martë, e po ashtu edhe rruga nacionale Burrel – Skuraj. Sipas sinoptikanëve, situata pritet të përmirësohet më shumë në orët në vijim për shkak të rritjes së temperaturave. Nga vlerat negative minimale, të enjten e në vazhdim temperaturat minimale pritet të arrijnë disa gradë mbi 0 dhe ato maksimale deri në 14 gradë Celsius në fundjavë.