Këtë të mërkurë i gjithë vendi është përfshirë nga reshje shiu.

Situata më problematike është paraqitur në segmentin e Shkopetit ku në shumë pjesë ka patur rënie gurësh dhe pemësh.

Qarkullimi i mjeteve ka qenë i vështirë që prej orëve të para të ditës së sotme, për shkak se rënia e gurëve ishte prezente në të gjithë aksin nga Ura e Ulzës deri në afërsi të tunelit të vogël në Shkopet.

Fyrja e përrenjve nga intensiteti i lartë i shiut bëri që në disa zona të kishte prezencë të zhavorit në asfalt. Ndërkohë, mjetet e punëtorët e firmës mirëmbajtëse ndërhynë gjatë gjithë kohës për të mos lejuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.

Edhe Ministria e Mbrojtjes, në pasqyrimin e situatës në vend pas reshjeve të dendura të shiut, njoftoi se në aksin rrugor Skuraj-Burrel, ka ndodhur rënie masive e gurëve dhe bllokim i rrugës. Aktualisht, thuhet në këtë njoftim, rrugët janë pastruar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet në fshatin Shkopet.

Probleme pati edhe në dy tunelet e Rrugës së Arbrit në fshatin Shkallë të Njësisë Xibër, në bashkinë e Klosit. Uji i shiut vërshoi brenda tunelit të Rrugës së Arbrit duke marrë me vete edhe inerte. Po ashtu, prani të ujit pati edhe në tunelin numër 5 si dhe mbi Urën e Vashës.

Situata e krijuar nga moti u qetësua rreth mesditës pas ndaljes së reshjeve të shiut.