Reshjet e shiut të rëna që nga e premtja e kaluar kanë rritur prurjet në baneset në HEC-eve Ulëz e Shkopet. Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të shiut, edhe lumi Mat ka shtuar prurjet duke bërë që niveli në liqenin e Ulzës të rritet gati në kuotat maksimale.

Po ashtu, edhe niveli i ujit në liqenin e Shkopetit është rritur gjatë këtyre ditëve, për shkak të prurjeve të shumta të përrenjve që e furnizojnë atë gjatë gjithë luginës së Shkopetit.

Burime për Mat Tv, bëjnë me dije se të dy HEC-et, Ulëz e Shkopet po punojnë me kapacitet të plotë, pas një thatësire të tejzgjatur si rezultat i mungesës së reshjeve të shiut.

Në të dy këto HEC-e situata po monitorohet me kujdes, për të shmangur shkarkimet e tepërta që mund të krijonin probleme përmbytjeje në fushën e Milotit.

Aktualisht nga këto HEC-e nuk ka shkarkime, pasi sasia e ujit që vjen në digë është thuajse e barabartë me kapacitetin maksimal nxjerrës të tombinove prodhuese të energjisë.