E diela që lamë pas ka qenë një ditë kaotike e krijuar nga reshjet e dëborës që përfshinë gjithë Qarkun Dibër. Qarkullimi i automjeteve në rrugët nacionale u paralizua i gjithi duke bërë që qindra qytetarë të mbeten të bllokuar në disa akse.
Më problematike situata u paraqit në rrugën e Arbrit, ku u bë ndalimi i qarkullimit në të dy anët, në fshatin Fshat tek rreth-rrotullimi dhe në hyrje të tunelit të Murrizit në anën e Tiranës.
Qarkullimi i automjeteve u devijua në aksin e vjetër Bulqizë – Burrel – Milot. Por për mungesë të ndërhyrjes në kohë nga firma mirëmbajtëse, dhjetra automjete mbeten të bllokuara në vendin e quajtur “Kongrazhd”, Bushkash dhe nga Qafa e Ulzës deri tek Ura.
Shumë automjete përfunduan në kanal për shkak të rrëshqitjes në borë e më vonë në akull pasi temperaturat ranë ndjeshëm.
Situatë problematike ishte edhe në segmentin tek “Pishat” në Fushë – Bulqizë, ku herë pas here rruga bllokohej si pasojë e mbushjes së rrugës me dëborë nga era e fortë.
Gjatë mbrëmjes së të dielës, tre të rinj u bllokuan në bypassin e Murrizit teksa ishin nisur drejt Tiranës. Po ashtu, një fëmijë i sëmurë në Ostren të Bulqizës u transportua drejt spitalit nga Forcat e Armatosura.